Beteja për të shuar jehonën heroike të Adem Jasharit
Si po zbehet rrëfimi për Adem Jasharin dhe familjen e tij në tekstet shkollore dhe në mediat shqiptare, dhe pse kjo heshtje është e rrezikshme.
1 min lexim

Në sferën e historisë, ku jehona e heroizmit duhet të dëgjohet nëpër kohë, mbizotëron një heshtje shqetësuese - një heshtje e qëllimshme e rrëfimit heroik të Adem Jasharit, heroit kombëtar të Kosovës. Një figurë, trimëria dhe sakrifica e së cilës, së bashku me atë të gjithë familjes së tij, hodhën themelet e lirisë së Kosovës.
Tradhtia shtrihet përtej retorikës së thjeshtë. Gjatë vitit shkollor 2020-2021, kur punoja si mësues historie, vura re një gjë shqetësuese në tekstet shkollore. Në tekstet e historisë për klasat 6 deri në 9, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përmbledhur në një temë të vetme që mësohet në klasën e 9-të. Adem Jashari përmendet vetëm një herë, ndërsa babai i tij, Shaban Jashari, vëllai dhe krahu i djatht i tij, Hamëz Jashari, si dhe e tërë familja e tij janë lënë jashtë rrëfimit. Ndërsa për qudi, këta libra i kushtojnë 3 deri në 4 tema figurave dhe ngjarjeve që nuk kanë lidhje me historinë tonë.
Për më tepër, meloditë që dikur rezononin me frymën e lirisë dhe rezistencës, tani kërcënohen me "censurë". Sot në televizionet shqiptare, zëra që u përkasin individëve me kontribute të papërfillshme për çështjen kombëtare, kërkojnë të minojë kontributin dhe sakrificën e një njeriu, emri i të cilit duhet skalitur në analet e heroizmit. Ata madje paturpësisht shprehen se "nuk e konceptoj dot që një stadium të pushtohet nga një këngë që ka një personazh".
Fshirja e qëllimshme e këtyre emrave nga tekstet shkollore dhe përpjekjet për të errësuar historinë e një familjeje që sakrifikoi gjithçka për lirinë e Kosovës, ngre pyetje kritike. Çka po i pengon ata? A kanë frikë se heronjtë e tyre mitikë do të mbeten nën hijen e Adem Jasharit? Apo janë emrat - Shaban, Adem, Hamëz, Zahide, Zarife, Adile, Feride, etj. - që përbëjnë pengesë?
Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.


