Kalo te përmbajtja
Historike
Dokumente Arkivore

Lidhja e Prizrenit dhe deklarata e Gegëve dhe Toskëve

Përkthimi i plotë i deklaratës së 2 tetorit 1879, ku krerët e Gegërisë dhe Toskërisë kërkuan bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm shqiptar.

Fahri Avdija

4 min lexim

Dokumenti osman i deklaratës së Lidhjes së Prizrenit, tetor 1879
Dokumenti origjinal i deklaratës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 15 sheval 1296 (2 tetor 1879).

Në një deklaratë të fuqishme të njohur si “Deklarata e Lidhjes së Prizrenit”, shoqëria dhe kombi shqiptar shprehin bindjen e tyre të pashmangshme ndaj Islamit dhe besnikërinë ndaj Shtetit Osman, duke e vlerësuar këtë bindje mbi çdo gjë tjetër dhe duke e shpallur atë përpara botës si një premtim të patundur. Dokumenti fillon me thirrjen e fuqishme “bihi”, një formë e shkurtuar e “bismilah”, që simbolizon frazën e shenjtë “në emër të Allahut”. Kjo shenjë fillestare pasqyron një nderim të thellë për Hyjnoren dhe vendos tonin për atë që pason. Në këtë deklaratë, përmbledhur me qartësi dhe përgjegjësi, theksohet rëndësia e mbrojtjes së territorit shqiptar dhe vendosja e një strategjie të qëndrueshme për të siguruar prosperitetin dhe sigurinë e atdheut. Përmes kësaj deklarate, shprehet edhe qëllimi për krijiin e një vilajeti të vetëm shqiptar, në mënyrë që të përballen më mirë me sfidat e ardhshme dhe të përforcohet uniteti kombëtar.

Një pjesë thelbësore e kësaj deklarate është përkushtimi për të ndaluar veprimet e padrejta si vjedhja, grabitja dhe vrasja, të cilat janë të kundërshtuara nga aspekti fetar dhe tradicional. Në këtë kontekst, përmes një marrëveshjeje të bërë më parë, është vendosur që gjërat e vjedhura tu kthehen pronarëve të tyre ligjorë dhe personat që vazhdojnë të kryejnë krime të tilla do të ndëshkohen. Përveç kësaj, në deklaratë shprehet qëllimi për të vendosur një vali (guvernator) në Vilajetin Shqiptar, i cili do të pranohet nga shteti, populli dhe do të miratohet nga Sulltani. Kjo përfaqëson një përpjekje të Levizjes për të siguruar një administratë të qëndrueshme dhe legjitime në vilajetin që do krijohej.

Në fund të deklaratës, shprehet lutja për udhëzimin e Plotfuqishmit dhe ndihmën e Tij Hyjnore për të gjithë popullin shqiptar. Kjo lutje për bekimin dhe ndihmën e Zotit reflekton një besim të thellë dhe një përkushtim të patundur ndaj idealeve fetare dhe kombëtare.

Më poshtë po sjellim dokumentin e përkthyer në shqip:

Me shpalljen e vendimit, të mërkurën, më 15 sheval të vitit 1296 (2 tetor 1879), në Teqenë Marash të Prizrenit u mbajt një kuvend i përgjithshëm, ku morën pjesë krerët dhe përfaqësuesit e Gegës dhe Toskës, domethënë të gjithë Shqipërisë. Në këtë kuvend, Komiteti i Lidhjes vendosi për pikat me poshtë:

Neni i parë

Lidhja jonë dhe mbarë kombi shqiptar deklarojnë hapur se kurrë nuk do të pranojnë qeverisjen e asnjë shteti apo qeverie të huaj dhe të ndahen nga rendi i përgjithshëm islam. Kjo (ndarja) për ne, do të ishte me e rënd se vdekja. Ne shprehim besnikërinë dhe bindjen tonë të sinqertë ndaj Shtetit Osman dhe udhëheqësit të madh të Islamit, Gazi Sulltan Abdylhamid Hanit. Ne e shpallim këtë të vërtetë për të gjithë botën dhe ia dorëzojmë besnikërinë tonë autoritetit legjitim të shtetit tonë (Shtetit Osman F. A.).

Neni i dytë

Në përputhje me marrëveshjen e bërë midis fillimisht [tokës] islame e më pas Perandorisë Osmane dhe Austrisë, tri pikat që u pushtuan nga ushtria austriake janë Tashllëxha, Prepoli dhe Priboj. Për më tepër, për të garantuar mbrojtjen e trojeve tona që përfshijnë sanxhaqet e Prizrenit, Shkodrës, Dibrës, Beratit, Gjirokastrës, Prevezës, Janinës, Korçës, Manastirit, Shkupit, Prishtinës, Jenipazarit, Plavës dhe Gucisë, të përfshihen në truallin e Shqipërisë. Në rast të ndonjë sulmi, ngacmimi apo kërcënimi armik ndaj ndonjërës prej këtyre zonave, ose nëse në të ardhmen merret një vendim tjetër nga shteti (Osman F.A.) apo ndonjë palë tjetër lidhur me zonat (e lartëcekura F.A.) që nën pushtimin ushtarak të Austrisë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të informojë menjëherë qeverinë dhe i gjithë populli shqiptar do të bashkohet për të mbrojtur atdheun tonë nga çdo ndërhyrje.

Neni i tretë

Për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo ndërhyrje e ardhshme armike dhe për të siguruar prosperitetin e saj, propozohet shpërbërja e vilajetit të Janinës, Shkodrës, Manastirit dhe Kosovës dhe bashkimi i tyre në një vilajet të vetëm. Prandaj, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të qendrave të këtyre krahinave, sugjerohet që këto rajone të qeverisen si një vilajet dhe në vend të kufijve aktualë të krijohet një vilajet i ri mbarëshqiptar. Pastaj të bëhen përpjekje për të caktuar një vali, për këtë vilajet të ri, i cili do të jetë i pranuar si nga shteti ashtu edhe nga populli dhe të miratohet nga Sulltani.

Neni i katërt

Është evidente se veprimet si vjedhja, grabitja dhe vrasja, të cilat janë të ndaluara si në aspektin fetar ashtu edhe në atë njerëzor, duhet të shmangen, veçanërisht në periudha dhe rrethana të tilla të ndjeshme. Prandaj, deri në vendosjen dhe zbatimin e sistemit të qeverisjes për të cilën është rënë dakord, të gjithë anëtarët e Komitetit të Unionit do të ushtrojnë kujdesin dhe vëmendjen maksimale për të parandaluar akte të tilla të paligjshme. Në bazë të marrëveshjes së bërë vitin e kaluar, çdo material i përfituar nga veprat penale si, vjedhja dhe grabitja, do t’u kthehet pronarëve të ligjshëm. Gjithashtu, ata që vazhdojnë të kryejnë krime të tilla ose të përfshihen në to në të ardhmen, do të ndëshkohen sipas dekretit të përkohshëm. Më tej, autoritetet e Lidhjes dhe drejtuesit e vendit do të përpiqen sinqerisht për unitetin dhe zbatimin e marrëveshjes sonë, duke u angazhuar t’i qëndrojnë besnikë kësaj marrëveshjeje. Ata që mbjellin farën e mosmarrëveshjes për përfitime personale do të konsiderohen tradhtarë të kombit dhe do të ndëshkohen në përputhje me rrethanat.

Neni i pestë

Me mirësinë e Tij (Zotit F.A.), të Lartësuarit, deri në themelimin e vilajetit do të përgatitet një dekret (kararname) i Komitetit të Bashkimit në Prizren. Ne deklarojmë se kemi arritur marrëveshje unanime për realizimin e çështjeve të lartpërmendura dhe japim BESË-n për këtë çështje. Lusim që i Plotfuqishmi të udhëzojë të gjitha veprimet dhe lëvizjet tona që të jenë në përputhje me Sheriatin e bekuar Ahmedije (sheriatin e profetit Muhamed, sheriatin Islam F. A.) dhe të na japë ndihmën e Tij Hyjnore për të gjithë ne. Amin.

Me 17 Shaval viti [12]96 dhe me 21 shtator viti [12]95 / [3 tetor 1879].

Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.