Tekstet joletrare si burim i deformimit të historisë së letërsisë shqipe
A janë Meshari i Buzukut dhe librat fetarë të shekujve XVI–XVII letërsi? Një thirrje për kritere rigoroze në shkrimin e historisë së letërsisë shqipe.
14 min lexim

Përmbledhje
Letërsia shqipe është e dokumentuar shumë vonë, e kjo gjë ka ndodhur për shkak të mungesës së institucioneve shtetërore, fetare e kulturore në periudhat e gjata të pushtimeve romake, bizantine, bullgare e serbe. Tendenca që mungesa e letërsisë të kompensohet me tekste joletrare, ka shkaktuar deformimin e historisë së letërsisë shqipe. Librat e parë në gjuhën shqipe, të botuar në kuadër të Kundërreformës, nuk janë tekste letrare, prandaj nuk mund të trajtohen si letërsi, sepse objekti i studimit të historisë së letërsisë duhet të jenë tekstet letrare. Për të bërë korrigjimet e pamjes së deformuar të vetë historisë së letërsisë shqipe, duhet të aplikohen standarde rigoroze shkencore me rastin e shkruarjes së historisë/historive të reja. Për ta trajtuar një tekst në kuadër të historisë së letërsisë shqipe, ai domosdoshmërisht duhet të jetë i shkruar në gjuhën shqipe, duhet të jetë tekst origjinal e jo përkthim nga ndonjë gjuhë tjetër dhe të jetë tekst artistik. Kriteri gjuhësor nuk ka pse ngatërrohet me kriterin etnik.
Fjalët kyç: Historia e letërsisë shqipe, amnezionet, deformimi, mungesa e institucioneve, tekste letrare, kundërreforma, konteksti kohor, kritere shkencore.
Lindja e letërsisë shqipe me vonesë të madhe është një paradoks më vete, kur dihet fakti që shqiptarët dhe paraardhësit e tyre, ilirët, me shekuj jetuan në fqinjësi direkte me dy popujt që e farkuan njërën nga shtyllat e qytetërimit europian, atë greko-romake. Në ndonjë rast tjetër, popujt e lashtë që jetuan në të njëjtat territore ose afër njëri tjetrit, sikundër qenë sumerët, babilonasit, hititët, asirët, çifutët, egjiptasit, fenikasit, edhe pse nuk qenë imunë ndaj konflikteve, megjithatë ndikuan mbi njëri tjetrin që të zhvillohej kultura e shkrimit. (Stipçeviq: 12) Ndërsa, në rastin e ilirëve/shqiptarëve dhe fqinjve të tyre, grekëve, romakëve, bizantinëve, bullgarëve e serbëve, nuk ndodhi ashtu. Edhe pse në vetë truallin historik të ilirëve/shqiptarëve, në lokalitete si Durrësi, Apollonia, Butrinti e në lokalitete të tjera antike, janë gjetur mbishkrime të ndryshme, por ato pa përjashtim janë ose greke ose latine.
Shkaqet që e penguan kultivimin e shkrimit në gjuhën ilire/shqipe, janë të shumta, por ngado që ta marrësh punën, shkaku kryesor ishte mungesa e institucioneve shtetërore, fetare e kulturore, të cilat do t’i jepnin drejtim edhe kultivimit të kulturës dhe të letërsisë në gjuhën shqipe. Mungesa e gjurmëve të shkruara në gjuhën ilire/shqipe, e aq më pak letërsi artistike në këtë gjuhë, në antikë e në Mesjetë, koincidon me mungesën e institucioneve të tilla, si pasojë e pushtimeve të gjata e me tendenca të forta asimiluese. Rolan Barti ka theksuar se “historia e letërsisë është e mundshme vetëm nëse bëhet sociologjike, nëse interesohet për veprimtarinë dhe institucionet, e jo për individët”. (Bart: 152.) Prandaj, edhe në rastin e historisë së letërsisë shqipe, gjetja e shkaqeve për mungesën e institucioneve, na afron edhe te gjetja shkakut themelor për mungesën e letërsisë në gjuhën shqipe deri në kohën e re.
Pohimet e tërthorta që nga ajo e Herodotit për alfabetin e pellazgëve e deri te dëshmitë e Brokardit për alfabetin latin të librave shqip, nuk duhet të na hutojnë, sepse nuk janë mbështetur deri sot nga ndonjë provë konkrete materiale. Pra, ka amnezione të mëdha në historinë dhe në kulturën tonë. Nga dëshira për të kompensuar mungesat, shumë definime për kulturën dhe letërsinë tonë dhe për moshën e saj, janë bërë në bazë të deklaratave të shkëputura e të gojëdhënënave, gjë që e ka krijuar pamjen e parë të deformuar, mitologjike, të kësaj kulture e të kësaj letërsie. Mirëpo, asnjë lloj deklarate nuk mund të mirret si fakt për një gjykim shkencor, nëse nuk është e mbështetur në fakte konkrete të shkruara. Prandaj, kjo praktikë e shtyrjes në lashtësi, pa pasur tekste të shkruara konkrete, duhet të braktiset edhe nga historianët e letërsisë shqipe. Objekti themelor i studimit të historisë së letërsisë janë tekstet e shkruara dhe në lidhje me rrethanat dhe faktorët e ndryshëm që kanë ushtruar ndikimin e vet mbi tekstet dhe autorët e tyre, por gjithnjë duke i pasur pikënisje vetë tekstet letrare.
Në rastin e mungesës së teksteve letrare, që është përvoja e pjesës më të madhe të historisë sonë, duhet të fokusohemi më gjerësisht në studimin e atyre periudhave historike të pushtimeve, prej të cilave pastaj do të mund të nxjerrim disa përfundime për shkaqet e mosekzistimit të institucioneve dhe të një një letërsie shqipe në gjirin e tyre. Studimi i tillë na mundëson që të qartësojmë rrugën e vështirë të zhvillimit kulturor e letrar dhe arsyet e lindjes së letërsisë shqipe në një realitet historik e shoqëror, sikundër ishte ajo nën Perëndorinë Osmane, ku tradicionalisht mendohet se ka pasur më pak liri, se sa në pushtimet pararendëse. Por, meqë shkrimi shqip dhe letërsia shqipe kanë lindur në kohën e sundimit osman, atëherë duhet të gjendet përgjigje shkencore në pyetjen: pse nuk ka pasur shkrime shqipe e letërsi shqipe në periudhat pararendëse, të pushtimeve romake, bizantine, bullgare e serbe mbi ilirët/shqiptarë?
Për këtë rast ia vlen të bëhet një përkujtesë e shkurtër, e cila e shpjegon arsyen e mungesës së lieteraturës shqipe në ato periudha të gjata pushtimesh. Pushtimi romak, i filluar në pjesën e parë të shekullit III para erës sonë dhe i përmbushur me pushtim të plotë në shekullin e parë të erës sonë, la pas vetes shkatërrimin e qyteteve ilire si Rizoni dhe Scodra, shpërbërjen e institucioneve sociale e politike vendëse dhe e hapi procesin e romanizimit, i cili e preku identitetin e një pjese të madhe të popullsisë ilire. Në kushte të këtilla të shpërbrëjes së strukturave vendore dhe të nxitjes masive të asimilimit, nuk ka pasur shanse kultivimi i letërsisë në gjuhën e ilirëve. Pushtimi bizantin, që e pasoi pushtimin romak, me tejzgajtjen e tij, shkatërroi edhe ato pak struktura që kishin ngelur, duke e integruar popullsinë ilire në një formacion të madh shtetëror e fetar, që në esencën e vet ishte gllabërues. Perandoria Romake e Lindjes, e ngritur nga Konstandini i Madh, ishte një “strukturë shtetërore romake, kulturë greke dhe besim i krishterë: këto janë burimet kryesore kulturore të zhvillimit të Perandorisë Biznatine. Heqja e ndonjërit prej këtyre tre elementeve do ta bënte të pamundur kuptimin e kulturës bizantine” (Ostrogorski:17). Inkuadrimi i gjatë në këtë strukturë i shumicës së territoreve të shqiptarëve, ka pasur pasojat e rënda për Shqipërinë, sepse “lidhja e gjatë me Kostandinopojën nuk e la të krijonte identitet politik”. (Hibert: 16)
Në të vërtetë, nuk e la të krijonte as identitet kulturor. Ngjarjet shkatërrimtare sikundër qenë lufta bizantino-bullgare në shekujt IX-X e deri në vitin 1018, kur u instalua përfundimisht pushtimi bizantin, ndarja e kishave në vitin 1054, e edhe kryqëzatat e periudhës 1095-1270, shkaktuan shkatërrime të rënda ekonomike, shoqërore e kulturore dhe konflikte fetare. Përpjekjet e rimëkëmbjes së Arbërisë në shekullin XII e XIII, u dëmtuan nga ekspansioni serb në shekullin XII dhe nga pasojat që shkaktoi Kryqëzata e katërt e vitit 1204, me pushtimin kryqtar të Konstandinopojës. Kjo ngjarje ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në forcimin e identitetit fetar e kulturor serb në territoret veriore shqiptare, sepse strehimi në Serbi i piktorëve, i arkitektëve dhe i dijetarëve bizantinë të arratisur nga Konstandinopoja e pushtuar, mundësoi zhvillimin ekspansiv të kulturës serbe edhe në trojet shqiptare. Vetëm pesëmbëdhjetë vjet pas Kryqëzatës së katërt, Kisha serbe e fitoi autonominë e saj. Ndër pasojat e forcimit të shtetit serb e të kishës serbe janë serbizimi i një pjese të popullsisë, serbizimi i toponimeve dhe i patronimeve, dyndja e shqiptarëve drejt jugut dhe shkatërrimi i strukturave të kishës katolike romane. Është e kuptueshme se as në këso rrethanash të pushtimit serb, nuk ka qenë e mundshme që të zhvillohej gjuha shqipe e as kultura dhe letërsia në këtë gjuhë. Kjo jetesë e gjatë nën pushtimet bizantine, bullgare e serbe dhe nën juridiksionin e kishave ortodokse, e ka amputuar popullin ilir/shqiptar nga lidhjet politike e kulturore me pjesën tjetër të Europës, shumë para se të pasonte pushtimi osman.
Po qe se shihet çështja e mungesës së letërsisë shqipe nga aspekti i lëvizjeve kulturore-fetare në gjithë këta shekuj, duket lehtësisht se viset shqiptare nuk kanë qenë të prekura esencialisht nga lëvizjet në botën latine/katolike. Fjala vjen, Renesansa karliane nuk ka ndonjë gjurmë në kulturën shqiptare. Humanizmi dhe Renesansa, si lëvizje kulturore dhe artistike, nuk kanë dhënë asnjë produkt në gjuhë shqipe, edhe pse shfaqja e asaj lëvizjeje ka qenë disa shekuj para sundimit osman mbi shqiptarët. Edhe pse në fqinjësi direkte me Italinë, që është trualli i Humanizmit dhe i Renesanës, shqiptarët nuk i preku ajo lëvizje kulturore e artistike, sepse ata me shumicë ishin të integruar në fenë ortodoske dhe në qytetërimin bizantin. Madje komunitetin e katolikëve shqiptarë, faktikisht nuk e ka prekur as lëvizja e Reformacionit. Kisha Katolike e lejoi botimin e ndonjë libri fetar në gjuhë shqipe në periudhën e Kundërreformës, në mesin e shekullit XVI, por më shumë e motivuar nga përpjekjet për ta frenuar islamizimin e popullsisë shqiptare. Megjithatë, fillimi i botimit të librave në gjuhën shqipe në mesin e shekullit XVI, është tregues i ndikimit që ka pasur institucioni i Kishës Katolike me politikat e Kundërreformës, mbi komunitetin katolik në botën shqiptare. Sot për sot nuk është e qartë se cila ka qenë shkalla e organizimit të kësaj bashkësie dhe të kërkesave të saj për libra shqip, në kohën kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë së saj, por vetë fakti që ajo kishte në terren kuadro që bënin përkthime të teksteve liturgjike, tregon se kishte më shumë hapësira veprimi se sa nën sundimet pararendëse bizantine, bullgare e serbe.
Botimi i Mesharit të Gjon Buzukut bie pikërisht në periudhën e lëkundjeve të mëdha fetare e institucionale në gjirin e popullit shqiptar. Sidoqoftë, përmbajtja e Mesharit të Gjon Buzukut është tërësisht fetare. Nga ana tjetër, “…përpara të gjithave do të kemi para sysh që, me përjashtim të ndonjë fraze vetiake t’autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, ky libër është fund e krye një përkthim.” (Çabej: 25) Po sipas Çabejt, përkthimi ka qenë një kombinim interesant, duke ndërthurur përkthimin nga latinishtja, italishtja dhe serbokroatishtja, e duke mos u bazuar vetëm në një vepër origjinale. Meqë kjo është një vepër tërësisht e përkthyer, ajo edhe po të ishte vepër letrare, nuk do të mund të trajtohej si vepër origjinale letrare shqipe, veçse si një vepër e përkthyer. Ndërsa, në Historinë e letërsisë shqipe, shkruan se “gjer më sot, libri më i moçëm i letërsisë së njohur në gjuhën shqipe, është Meshari i Gjon Buzukut, i mbaruar së hartuari në vitin 1955”. (Grup autorësh: 18) Faktikisht, trajtimi në historinë e letërsisë shqipe i përkthimeve të teksteve liturgjike si letërsi origjinale shqipe, është një manipulim i dyfishtë, manipulim me natyrën e teksteve, (kualifikohen si tekste letrare tekstet ekskluzivisht fetare) dhe manipulim me gjuhën origjinale të tyre (ato janë tekste të përkthyera e jo origjinale.) Për këtë arsye, “Meshari” nuk është një vepër artistike, letrare, e cila do të mund të konsiderohej si vepra e parë letrare në gjuhën shqipe. Rrjedhimisht, historia e letërsisë shqipe nuk mund të fillojë me këtë vepër. Vetë Buzuku pohon se po u bënte një shërbim besimtarëve për leximin e teksteve të shenjta: “U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gjā të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot’ ynë atyne qi t’a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi mā shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot e ate në ënbarofshi, Zot’ ynë të ketë mishërier ënbī jū, e ata qi u monduonë dierje tash, mā mos u mondonjënë. E ju t’ini të zgjiedhunitë e t’inë Zot, e për-herrë Zot’ ynë kā me klenë me jū, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë.” (Buzuku: 387)
Edhe veprat e Pjetër Budit janë tekste fetare, të përkthyera në gjuhën shqipe. Madje edhe poezive të Budit, ende nuk u është qartësuar deri në fund as origjinaliteti e as autorësia e tyre. “Domethënë, në vetë vjershat e Budit, një pjesë janë të atë Palit prej Hasi, një pjesë të përkthyera e të përshtatura nga Budi e një pjesë të vetë Budit” (Budi: 30)
Sa i përket veprës së Pjetër Bogdanit, “Çeta e profetëve”, e cila konsiderohet si vepra e parë e shkruar në origjinal në shqipe, megjithëse vetë autori thotë se e ka shkruar në dy gjuhë, italisht dhe shqip, edhe ajo është një vepër fetare që tematizon jetën dhe misionin e Jezu Krishtit, sipas dogmës zyrtare kristiano-romane. Vargjet që janë në të, janë letërsi, por jo e tërë vepra, sikundër pretendohet nga disa studiues të letërsisë shqipe, të cilët kanë farkuar sintagmën “letërsia filobiblike”, për të fshehur faktin që kjo në të vërtetë nuk është fare letërsi.
Meqë në historitë e deritashme të letërsisë këto vepra fetare të këtyre autorëve trajtohen si vepra letrare në gjuhën shqipe, kjo qasje vetvetiu e ka deformuar që në start vetë historinë e letërsisë shqipe. Në të vërtetë. “Meshari” dhe librat e tjerë fetarë katolikë të shekullit XVI e XVII, paraqesin objekt me interes të madh të studimit të sociologjisë së fesë katolike dhe veçmas të gjuhësisë. Por, jo edhe të letërsisë shqipe. Në fakt, vlerat e kësaj literature duhet të kundrohen në kuadër të lëvizjës së Kundërreformës, përkatësisht të institucionit të Kishës Katolike Romane, sepse pa lejimin dhe sponsorizimin e saj ato libra nuk do të mund të botoheshin. Rrjedhimisht, edhe në këtë rast po edhe në hartimin e çdo historie të letërsisë mbi kritere shkencore, duhet të studiohet raporti ndërmjet institucioneve shtetërore e fetare dhe veprave e autorëve konkretë, e të mos vështrohen veprat dhe autorët si “prodhues të vetvetes”. E gjithë historia e letërsisë, deri në kohët moderne, është e lidhur me institucionet shtetërore ose fetare dhe me ideologjitë e ndryshme, prandaj edhe duhet të studiohet e të vlerësohet në korelacion me to. Në të kundërtën, kemi të bëjmë me zhvendosjen e kontekstit dhe me deformimin e natyrës së saj përkatësisht me aplikimin e “amnezisë strukturale”, të cilën e emërtoi antropologu Xhek Gudi e sipas të cilës e kaluara kujtohet si të ishte e tashmja përkatësisht vlerësohet me kriteret e të tanishmes. (Brigs, Berk: 23) Rrafshimi i veçantive të periudhave të ndryshme historike dhe vlerësimi i tyre me standardet e ideologjisë aktuale politike ose kombëtare, është tipari kryesor i historive të letërsisë shqipe që janë shkruar deri sot. Prej pozicionit të sotëm ideologjik vlerësohen edhe vetë tekstet e edhe rrethanat historike, shoqërore, politike e kulturore në të cilat është zhvilluar letërsia shqipe. Kjo “amnezi strukturale” nuk mundëson studimin e mirëfilltë të së kaluarës së letërsisë shqipe e as të shkrimit me kritere shkencore rigoroze, të një historie të letërsisë shqipe.
Duhet të kihet parasysh se shoqëritë njerëzore, që nga ato që njihen si shoqëri primitive e deri te shoqëritë e sotme, janë ndërtuar mbi programe të ndryshme sociale, politike, fetare, kulturore e artistike, të cilat në periudha të caktuara kanë ndikuar mbi përfytyrimet dhe kompozimet artistike. Prandaj nuk mund relativizohet vlera e kontekstit historik të tyre dhe as të shpjegohen ato produkte artistike me anën e analogjive ose brenda një sistemi tjetër vlerash. Marksizmi është përpjekja më ambicioze për ta shpjeguar edhe letërsinë vetëm nga sistemi i vetë i vlerave, por ka dështuar. Fatkeqësisht, tendenca e tillë është ende e fuqishme në studimet e letërsisë shqipe, por ajo duhet të flaket sa më shpejt. Nuk mund të shpjegohet letërsia me terma revolucionarë, të cilët e imponojnë pikërisht “amnezinë strukturale”.
E shikuar në sfond të lidhjeve të letërsisë me institucionet dhe me vlerësimin brenda një konteksti kohor, bëhet më e qartë që mungesa e letërisë shqipe në periudha të gjata është e lidhur me mungesën e institucioneve shtetërore e fetare të vetë shqiptarëve, ose institucioneve përkrahëse ndaj projekteve fetare e kulturore të shqiptarëve.
Megjithatë, pas studimit korrekt shkencor të këtyre periudhave historike dhe të institucioneve përfaqësuese, do të jetë më e qartë rruga e zhvillimit të popullit shqiptar me gjithë mungesat dhe vonesat e mëdha. Ndërsa, për të bërë korrigjimet e pamjes së deformuar të vetë historisë së letërsisë shqipe, duhet të aplikohen standarde rigoroze shkencore me rastin e shkruarjes së historisë/historive të reja të letërsisë. Krahas studimit interdisiplinar të konteksteve historike, sociale, fetare e kulturore në të cilat ka jetuar populli ynë, e të cilat kanë shkaktuar amnezionet kulturore dhe vonesat e mëdha të lindjes së letërsisë shqipe, duhet të zbatohen definimet e sakta se çka është letërsia, cila është natyra dhe cili është funksioni i saj, statusi i teksteve brenda gjinive dhe llojeve dhe historia e tyre, statusi i teksteve brenda formacioneve dhe përfundimisht vlera estetike e teksteve. Këto duhet të jenë kornizat e hartimit të historisë/historive të reja të kësaj letërsie. Vendi që do të zënë autorët dhe veprat e tyre në pamjen e vërtetë të letërsisë shqipe, duhet të burojnë nga respektimi i kritereve shkencore gjatë studimit të saj, sikundër që periodizimi duhet të burojë nga përkatësia e teksteve formacioneve të caktuara e jo ashtu si ka qenë deri tash që periodizimi është bërë “sipas etapave të historisë së popullit shqiptar.” (Historia:6)
Për ta përfshirë një tekst në kuadër të letërsisë shqipe, ai domosdoshmërisht duhet të jetë i shkruar në gjuhën shqipe dhe të jetë tekst origjinal, e jo përkthim nga ndonjë gjuhë tjetër dhe të jetë tekst artistik. Në këtë kontekst, edhe qasjet sipas të cilave “humanistët shqiptarë, ndonëse nuk botuan gjë shqip, kanë kapitullin e tyre”, (Historia: 6) duhet të shmangen nga historia e letërsisë shqipe, sepse produkti i tyre nuk është i shkruar në gjuhën shqipe. Për ta duhet të gjenden hapësira në histori të veçanta të autorëve me prejardhje shqiptare, që kanë shkruar në gjuhë të huaja. Kriteri gjuhësor nuk ka pse ngatërrohet me kriterin etnik.
Në të kundërtën, do të vazhdojë gara për imponimin e autorëve dhe veprave sipas preferencave të ndryshme, qoftë ideologjike, qoftë fetare, qoftë krahinore, do të vazhdojë gara për fabrikimin e tipologjive e periodizimeve personale, gara për fabrikimin e të ashtuquajturave shkolla të letërsisë shqipe dhe gara për të mbajtur primatin mbi librat e letërsisë, jo vetëm për të zhvatur para por edhe për të imponuar një model të deformuar të njohjes ideologjike dhe fetare përmes letërsisë.
Bibliografia
Të cituara
Aleksandër Stipçeviq, Historia e librit, Toena, Tiranë, 2000)
Asa Brigs, Piter Berk, Drustvena istorija medija, Clio, Beograd, 2006
Budi, Poezi, Rilindja, Prishtinë, 1986 (Parathënia e Rexhep Ismajlit)
Georg Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, Dituria, Tiranë, 2002 ( botim i dytë)
Gjon Buzuku, Meshari, Rilindja, Prishtinë, 1987
Historia e letërsisë shqipe, (Grup autorësh), Rilindja, Prishtinë, 1989
Robert Elsie, Letërsia shqipe (Një historie shkurtër), Skandebeg books, Tiranë, 2005
Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1997
Reginald Hibert, Fitorja e hidhur, Tiranë,
Rolan Bart, Letërsia, Mitologjia, Semiologjia
Të konsultuara
Cvetan Todorov, Letërsia në rrezik, Buzuku, Prishtinë, 2007
Dibi, Zhorzh, Umetnost i drustvo u srednjem veku, Clio, Beograd, 2001
Hauzer, Arnold, Sociologija umetnosti, Skolska knjiga, Zagreb, 1986
Michael Grant, Kostandini i Madh nga Iliria, Bacchus, Tiranë, 2004
Sabri Hamiti, Letërsia e vjetër shqipe, Libri Shkollor, Prishtinë
Zhak lë Gof, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, CEU&Toena, Tiranë, 1998,
Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.


