Vrasja e konsullit rus në Mitrovicë
Si u kthye hapja e konsullatës ruse në Mitrovicë në një krizë diplomatike, nga rezistenca e Isa Boletinit deri te plumbi që vrau konsullin Sherbina në pranverën e vitit 1903.
3 min lexim

Pas humbjes së territoreve osmane në Evropë, pas luftës së viteve 1877-1878, Rusia u përpoq të rriste ndikimin e saj në këto rajone. Fillimisht u përpoq të krijonte Bullgarinë e Madhe dhe më vonë përmes hapjes së konsullatave në qytetet e Ballkanit. Rusia kishte tashmë konsullata në Shkup dhe Shkodër, të dyja qytete me popullsi të konsiderueshme shqiptare. Mirëpo, duke parë ndikimin e Austrisë në Mitrovicë, ajo vendosi të hapte një konsullatë edhe atje.
Perandoria Osmane fillimisht rezistoi, duke argumentuar se Mitrovica ishte shumë e vogël dhe nuk kishte konsullata të tjera. Për më tepër, shqiptarët në Mitrovicë reaguan ashpër kundër hapjes së konsullatës ruse, me zëra që sugjeronin plane për të vrarë konsullin rus që nga mbërritja e tij. Autoritetet osmane e paralajmëruan Rusinë, por Rusia këmbënguli, duke përmendur nenin 11 të Traktatit të Küçük Kaynarca, i cili e lejonte atë të hapte konsullata në çdo qytet osman.
Konsull rus në Mitrovicë u emërua Grigori Stepanovic Sherbina, i cili fliste disa gjuhë, përfshirë shqipen, të cilën e kishte mësuar gjatë qendrimit në Shkodër, ku punonte si zëvendës konsull i Rusisë. Gjatë qendrimit në Shkodër, përveç misionit diplomatik, ai kishte kundërshtuar përhapjen e katolicizmit të nxitur nga Papati dhe Austria.
Në shtator të vitit 1902, Sherbina u nis për në Mitrovicë. Me të dëgjuar këtë, shqiptarët e Mitrovicës, në krye me Isa Boletinin, u përgatitën për kryengritje. Boletini deklaroi se nuk do të pranonin një “gavur” (të pabesë) në Mitrovicë, duke kërcënuar se do të digjte çdo shtëpi të dhënë me qira konsullit rus dhe do ta mbyste pronarin. Valiu i Kosovës, Reshad Beu, sugjeroi shtyrjen e hapjes së konsullatës dhe internimin e figurave kryesore, përfshirë Isa Boletinin, për të qetësuar situatën. Ambasada ruse në Stamboll kërkoi internimin e Boletinit, duke kërcënuar se do të prishte marrëdhëniet diplomatike dhe do të mbështeste ndërhyrjen ushtarake të Austrisë në Mitrovicë.
Përballë kësaj, ministri i Jashtëm i Shtetit Osman, Tevfik Pasha, propozoi zgjidhjen e çështjes duke i ofruar Isa Boletinit një pozitë prestigjioze në Stamboll. Kjo është periudha për të cilën dihet se Isa Boletini shkon në Stamboll dhe shërben si roje e pallatit të Sulltan Abdulhamidit II. Më 26 janar 1903, Sherbina më në fund arriti në Mitrovicë. Pasi u vëndos në shtëpinë e paraparë, pavarësisht urdhrave për kujdes të shtuar, ai bredhte lirshëm në qytet, duke u thënë serbëve vendas: “Vrasja ime do t’ju sjellë lirinë”. Autoritetet osmane e paralajmëruan vazhdimisht Rusinë, por iu tha se “konsulli thjesht po bënte punën e tij”.
Më 21 shkurt 1903, Rusia dhe Austria kërkuan nga Shteti Osman të reformonte xhandarmërinë, në mënyrë që tu ofrohej mundësia e përfshirjes edhe jomuslimanëve. Kjo kërkesë, e pranuar nga Shteti Osman, çoi në kryengritje të armatosur nga shqiptarët myslimanë. Deri më 30 mars 1903, situata ishte përkeqësuar dhe kryengritësit kërkuan largimin e konsullit rus. Ushtria osmane përdori forcën ushtarake për të shtypur kryengritjet, duke rezultuar në viktima të shumta shqiptare.
Më 31 mars 1903, ndërsa ecte drejt stacionit me rojet e tij, Sherbina u qëllua nga İbrahimi, një ushtar i regjimentit të 17-të, batalioni i 4-të, i cili pretendoi të hakmerrej për një të afërm të plagosur në konfliktin e një dite më parë. Sherbina u plagos dhe vdiq më 10 prill 1903. Gjatë gjyqit, Ibrahimi pranoi atentatin, duke u shprehur se ishte për hakmarrje. Gjykata e shpalli fajtor Ibrahimin dhe e dënoi me vdekje. Megjithatë, ambasada ruse kërkoi një shtyrje dhe Sulltani kërkoi mendimin e Këshillit Special, i cili mbështeti vendimin e gjykatës.
Më 29 prill, ambasadori rus në Stamboll, Zinovijev, informoi Tevfik Pashën se Cari kishte kërkuar faljen e Ibrahimit. Në kërkesën e Carit shprehej “dhembshuria” e Carit dhe “respekti” i Rusisë për Perandorinë Osmane. Për rrjedhojë, Sulltani ia ndryshoi dënimin Ibrahimit, nga dënim me vdekje në dënim me burgim të përjetshëm.
Ky incident ilustron ndërveprimin kompleks të rezistencës lokale, diplomacisë ndërkombëtare dhe ambicieve perandorake në Ballkanin e vonë osman.
Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.


